Çka ofrojmë ne?

Ajo çfarë ofrojmë ne, ka të bëjë me organizimin dhe guidimin e aktiviteteve që lidhen me natyrën. Klubi Alpin Prishtina i ka disa sektorë të cilët funksionojnë në kuadrin e saj, dhe brenda këtyre sektorëve ofrohen shërbime të veçanta për adhuruesit e natyrës. Në organizimet tona përpiqemi të jemi profesional dhe të suksesshëm, si dhe tu përshtatemi kërkesave dhe preferencave të anëtarëve tanë. Aktivitetet tona janë transparente dhe shpallen në faqen tonë të internetit. Në intervale të caktuara bëhen ecje apo ngjitje, në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, etj. Njerëz të të gjitha moshave, gjinive dhe etnive na bashkëngjiten çdo aksion në këto organizime. Sipas standardeve dhe Statutit të Harmonizuar me atë të FBAK-së, ne mbajmë evidencë rregullisht, dhe jemi të përgjegjshëm për rëndësinë e guidimit sa më të mirë në terren.

Disa nga aktivitet tona kanë si synim kampimin, disa ecjet e gjata dhe ngjitjet, por ka edhe të tilla që mund të karakterizohen në mes ecjes dhe turizmit, e që kanë pikë synim vizitën dhe njohjen me qytete, gryka,  liqene, fshatra, objekte të rëndësisë së veçantë, si dhe me kulturën e komuniteteve të ndryshme.

 .

Aktivitetet e KAP janë:

Ecja Rekreative (Hiking)

Ky sektor është sektori më i popullarizuar dhe ka më së shumti anëtarë dhe pjesëmarrës në aksione të tilla. Kushtimisht, kjo është edhe oferta jonë më e gjerë dhe në të cilën kanë mundësi të na bashkëngjiten gjithë adhuruesit e natyrës dhe jetës së shëndetshme. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se ky lloj aktiviteti ofron shumë dhe nuk ka karakter të rrezikshëm.

Ecjet dhe ngjitjet që bëhen gjatë organizimeve tona, ofrojnë pamje shumë atraktive të Kosovës dhe rajonit, por edhe mundësojnë kalitjen fizike dhe psikike të trupit, pa u rrezikuar; pra epet mundësia e përgatitjes graduale të ecësve.

Përparësi tjetër e këtij sektori është edhe natyra e tij rekreative, ku mund të marrin pjesë gjithë moshat dhe gjinitë, pa përjashtim..

Ecja Shumëditore (Trekking)

Ecjet Shumëditore (dy ose më shumë ditë) janë organizime më të ndërlikuara, por janë shumë të pëlqyeshme për faktin se, brenda pak ditësh, përshkohen shumë vende dhe, por e ka edhe elementin e aventurës. Në këtë sektor hyn edhe Kampimi, si komponentë përbërëse e Ecjeve Shumëditore. Në këtë sektor nuk ka organizime të shpeshta, por kur organizohen, gjithnjë ka mjaft të interesuar..

Bjeshkataria

E kemi ndarë bjeshkatarinë si sektor i veçantë, sepse në këtë drejtim është duke u zhvilluar edhe në botë dhe rajon. E quajmë Bjeshkatari sepse është duke u dalluar qartë nga Ecjet Rekreative dhe Ecjet Shumëditore, të cilat mund të zhvillohen edhe në fshatra piktoreske, lagje qytetesh turistike, etj. Bjeshkataria zhvillohet vetëm në bjeshkë, në lartësi të mëdha, dhe si e tillë nënkupton se ka ngjitje dhe ecje të kombinuar. Nuk ka shtigje të shënuara dhe kërkon përgatitje më të mirë nga pjesëmarrësit. Guidat tona kanë eksperiencë të kënaqshme edhe në këtë disciplinë, prandaj është një nga aktivitetet ku gjithnjë ka mjaft të interesuar..

Edukimi – Orientimi dhe Vëzhguesit

Sektori i trajnimeve dhe orientimit është duke funksionuar, si në ambiente të mbyllura, ashtu edhe në teren. Ne posedojmë pajisje dhe personel të licencuar për zhvillimin e trajnimeve të këtyre kategorive. Orientimi është në fillet e para të zhvillimit, por anëtarët tanë, me vetiniciative janë duke u avancuar gradualisht në fushat e Hartografisë, Kompasit, GPS dhe pajisje tjera për orientim. Ndërsa, për vëzhguesit e vegjël janë duke u krijuar programe të veçanta me të cilat do të kemi mundësi të mbajmë trajnime rekreative, një apo më shumë ditore, me qëllim njohjen e natyrës..

Alpinizmi (ngjitja në shkëmbinj)

Sektori i Alpinizmit është sektor i veçantë dhe është i rezervuar vetëm për anëtarët të cilët i kryejnë trajnimet me ne.  Alpinistët janë më të  paktë në numër sepse kjo fushë kërkon më shumë impenjim fizik dhe psikik. Përveç tjerash, është sport që kërkon pajisje dhe kohë, por megjithatë është shumë atraktiv, zbavitës dhe interesant, për të gjithë anëtarët. Me KAP, çdo njëri mund ta provojë këtë sport, brenda kushteve të sigurisë, dhe nën kujdesin e Alpinistëve tanë. Me pak përgatitje teknike, mund të lëshohemi edhe në shpella, por edhe të provojmë pak adrenalinën e kacavarjes. Në përgjithësi, pak nga alpinizmi mund të provohet nga çdonjëri anëtar i KAP-it..

Definimi dhe Markimi i Shtigjeve

Ky sektor është shumë i rëndësishëm për organizimet tona. Definuesit dhe Markuesit kanë sens të zhvilluar në kërkim dhe definim të shtigjeve atraktive dhe të sigurta. Ata krijojnë shtigje të karakterit evropian, sipas standardeve të UIAA-së, dhe si të tilla ia ofrojnë Grupit Organizativ për ti përshkuar me grupet e bjeshkatarëve dhe alpinistëve.

Gjithashtu, ata mbajnë edhe evidencë, i markojnë dhe i mirëmbajnë këto shtigje..

Sektori i Kërkim – Shpëtimit Alpin (Pritet të Formohet)

Ky sektor pritet të formohet së shpejti; dhe ka të bëjë me kërkim dhe shpëtim në lartësi të mëdha malore, shkëmbore, ndërtesa, ura, shpella, si dhe në rrethana të jashtëzakonshme klimatike.  Ne kemi alpinistë të përgatitur mirë fizikisht dhe teknikisht, e që mund ta formojnë ekipin përkatës. Kjo edhe është kërkesë e UIAA-së, pjesë e së cilës jemi edhe ne..

FILLOJNË PËRGATITJET PËR EKSPEDITËN – MOUNT EVEREST 2017

Të Nderuar Miq të Klubit Alpin Prishtina,

Duke u mbështetur në Planin e Miratuar nga Bordi i K.A.P., Ju njoftojmë se, zyrtarisht kanë filluar përgatitjet organizative, teknike dhe psiko-fizike për Ekspeditën e Pushtimit të Mount Everest, e që do të realizohet në fillim të vitit 2017.

Ekspedita është organizim i Klubit Alpin Prishtina dhe përbëhet nga katër Alpinistë, anëtarë të K.A.P., të cilët i kanë filluar përgatitjet paraprake, ku hyjnë edhe ngjitjet e ardhshme alpine brenda vitit 2016, e që përfshihen brenda programit të trajnimit.

Ekspedita do ti kushtohet Nënës Terezë dhe shtetit të ri të Kosovës, për ç’gjë është marrë mbështetje e fuqishme edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nga Institucionet tjera të vendit, si dhe nga subjekte të rëndësishme të Diasporës Shqiptare.

Zyrtarisht, Klubi Alpin Prishtina, e ka pranuar Flamurin e Shtetit të Kosovës, për Ekspeditën e Everestit, nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me ç’rast Presidentja është zotuar në përkrahjen zyrtare të Ekspeditës, në të gjitha nivelet, deri në realizimin përfundimtar të saj; gjë që do të finalizohet teknikisht në takimet tjera.

Gjithashtu, K.A.P. falënderon edhe legjendat e alpinizmit të shtetit Shqiptar; Aleksandër Bojaxhiu dhe Gjergj Bojaxhiu (Pushtues i Everestit), për përkrahjen e vëllazërore në përgatitjen e Ekspeditës, sidomos në çështjet organizative dhe programin e trajnimit.

Klubi Alpin Prishtina, Alpinistëve të Ekspeditës Ju Dëshiron përgatitje të mbarë, Ju Premton përkrahje të pakursyeshme, dhe Ju Uron Ekspeditë të Suksesshme, në të gjitha fazat e saj, në përgatitje, pushtim..dhe mbi të gjitha, kthimin në vendlindje, shëndosh e mirë.

Njëkohësisht, ky Njoftim është edhe ftesë dhe inkurajim për gjithë dashamirët dhe përkrahësit e K.A.P. që, gjatë muajve të ardhshëm, ta përkrahin në të gjitha mënyrat Ekspeditën për Pushtimin e Everestit 2017, Ekspeditën që i kushtohet Nënës së Shqiptarëve, Nënës që përfaqësoi vlerat tona humane në mbarë botën.

Gjatë muajve në vazhdim, K.A.P. do të vazhdojë me publikimin e të dhënave shtesë për Ekspeditën.

Nazmi Hasanramaj
Kryetar i Klubit Alpin Prishtina

.


Guidat Profesionale / Stafi

Nazmi Hasanramaj

.

Qendrim Sopi

.

Haki Hasanramaj

.