FTESË PËR VIKEND EKSKURSIONIST NË LUGINËN E VALBONËS, SI DHE PUSHTIMIN E MAJËS JEZERCE (29.08.14-30.08.14)

Të nderuar Miq,

Klubi Alpin Prishtina Ju fton të merrni pjesë në vikendin ekskursionist që do të mbahet në Luginën e Valbonës, Shqipëri e Veriut. Gjithashtu, në kuadër të kësaj ngjarjeje, është organizuar edhe pushtimi i Majës Jezerce, majës më të lartë të Alpeve Dinarike. Ky organizim do të zhvillohet të Premtën dhe të Shtunën, 29-30.08.2014.

Detajet e Organizimit:

Nisja e Saktë: e Premte, 29.08.2014 / ora 12:00 (tubimi në 11:45)
Vendi i Nisjes: Para parkingut të RTV 21
Lloji i Transportit: Autobus
Participimi për Transportin: 15 €
Akomodimi: Në Hotel, 10 € për person (Është edhe opsioni i kampimit, për ata që kanë tenda dhe thasë fjetjeje)
Afati i Fundit për Rezervim: E Enjte ora 12:00..Rezervimi është iobligueshëm.
Mënyra e Lajmërimit: Tel: 044 312 744 (me sms); E-Mail: info@klubialpinprishtina.com

Plani Aksionit:

Nisja do të bëhet të Premtën 29.08.2014, në ora 12:00, para parkingut të RTV 21, prej ku do të vazhdohet për Gjakovë dhe Bajram Curr. Pas një pushimi në Bajram Curr, dhe vizitës së monumentit të heroit kombëtar B.Curri, do të vazhdohet drejt Luginës së Valbonës, për të arritur në Fushën e Gjes’. Ky udhëtim duhet të zgjasë rreth 4 h, por do të ketë edhe ndalesa çlodhëse nëpër Luginën e Valbonës.
Në Fushën e Gjes’ bëhet akomodimi në dhoma, shtëpiza malore dhe tenda, sipas preferecës. Mbrëmja e së Premtës do të kalohet duke u çlodhur nëpër resorin e Valbonës. Të njejtën mbrëmje do të definohet Grupi i Jezercës dhe Grupi i Burimit të Valbonës.

Grupi i Jezercës:


Grupi i Jezercës duhet të ketë përgatitje të mirë psiko-fizike dhe duhet të jetë relativisht i kompletuar me rekuizitat alpine si: kazma e borës, kramponat, ndihma e parë dhe veshje të përshtatshme (preferohen anëtarët që kanë qenë më të rregullt në ecjet e KAP). Pushtimi i Jezercës është rast për testimin e aftësive psiko-fizike në ngjitje, përmirësimin e teknikës së ecjes alpine, si dhe funksionimit të punës në grup. Gjithashtu, duhet ta theksojmë se kjo maje vizitohet nga alpinistë nga mbarë bota, për shkak të karakteristikave të jashtëzakonshme që i ka.

Grupi i Burimit të Valbonës:


Ky do të jetë grup më i madh e që do të eksplorojë nëpër Luginë, Rragam, Burim të Valbonës dhe Qafë të Thethit, pra është ecje relativisht e lehtë dhe karakterizohet si Hiking, sepse kalon nëpër shtigje të shënuara dhe pika piktoreske. Ky Grup do të niset pas mëngjesit, në ora 08:00.

Nisja e të dy grupeve do të bëhet të Shtunën në mëngjes, ndërsa në mbrëmje do të takohen të dy grupet në të njejtin vend, kur edhe bëhet nisja për Prishtinë.

Karakteristikat e Majës Jezerce (T4-T5)


Pozita Gjeografike: Alpet Dinarike-Lugina e Valbonës 42°26’30”V 19°48’45”L .
Lartësia: 2694 lmd.
Prominenca: 2036 m. Gjatësia Totale: 22 km.
Karakteri i Shtegut: Strukturë shkëmbore, pjerrësira të theksuara dhe pjesë me borë.

Organizator: Klubi Alpin Prishtina; Përgjegjës: Nazmi Hasanramaj (044 312 744)
Udhërrëfyes për Jezercë: Haki Hasanramaj; Ndihmës:Nazmi Hasanramaj
Udhërrëfyes për Burimin e Valbonës: Qëndrim Sopi

KAP-i Ju dëshiron vikend të këndshëm,.