EKSPEDITË TRE DITORE PËR PUSHTIMIN E MAJËS SË OLIMPIT – GREQI / THREE-DAY EXPEDITION TO CONQUER THE TOP OF OLYMPUS PEAK – GREECE

Të Nderuar Miq,

Klubi Alpin Prishtina, do të organizojë Ekspeditë Tre Ditore në Greqi, me qëllim: Pushtimin e Majës së Olimpit, në Krahinën e Thesalisë. Ekspedita do të zhvillohet nga data 19.06.2014, deri më datën 22.06.2014 (nisja bëhet në mesnatë, në mes të ditës së Enjte dhe Premte)
Pjesëmarrja në Ekspeditën e Olimpit është e hapur, ndërsa numri i pjesëmarrësve do të determinohet nga ulëset e autobusit me të cilin do të bëhet udhëtimi (50 vende).
Vendimi, Organizimi dhe Udhëheqja e Ekspeditës së Olimpit është në përgjegjësi të Klubit Alpin Prishtina, me ç’rast janë marrë parasysh gjithë faktorët dhe parametrat e nevojshëm për ta lehtësuar çështjen e vizave, udhëtimit, akomodimit dhe ngjitjes në Olimp.

Maja e Olimpit është vend me karakter të theksuar mitologjik dhe është maja më e lartë e kompleksit prej 52 majash, të vargmalit të Olimpit. Pika më e lartë quhet Mytikas (Hunda). Rëndësia e saj qëndron edhe në faktin se deri vonë është konsideruar maja më e lartë në Ballkan, por edhe për faktin se gjendet në një pikë strategjike në mes Thesalisë dhe Maqedonisë Greke, në perëndim të detit Jon, dhe 90 km afër Selanikut. Gjithashtu, është maja me prominencën gjeografike më të lartë në Evropë; ndodhet në Park Nacional dhe është Rezervat Botëror i Biosferës.

PSE DUHET TË JENI PJESË E KËSAJ EKSPEDITE ?


Rëndësia e kësaj ekspedite është e madhe sepse, përveç fakteve të përmendura më lartë, pjesëmarrësit e ekspeditës do të kenë rastin të vizitojnë vende të jashtëzakonshme të trashëgimisë natyrore, vende bregdetare të Thesalisë, si dhe Sheshin Egnatia në qytetin e Selanikut. Gjithë këta faktorë, duke përfshirë edhe ngjitjen në Olimp, do ta bëjnë këtë ekspeditë një udhëtim të paharrueshëm, me përjetime të veçanta.

TË DHËNAT TEKNIKE TË MAJES SË OLIMPIT:


1. Vendndodhja: Jug-Perëndim të Selanikut; Përfektura
Pieria;Thesali
2. Lartësia: 2917 m/lmd
3. Prominenca Topografike: 2355 m
4. Karakteri: Maje konike vegjetative, me karakter shkëmbor
nga 1800 m.
5. Vështirësia: (T2) Ecja është e karakterit bjeshkatar, pa
rreziqe, përveç 150 metrat e fundit (janë të siguruara).
6. Gjatësia e Shtegut: 9 km
7. Koha e Ngjitjes/Zbritjes: 7-8 orë

DETAJET E ORGANIZIMIT:


1. Nisja: Me datën 19.06.2014, në ora 00:00 (në mes të së
Enjtës dhe Premtës)
2. Kthimi në Prishtinë: 22.06.2014 (e Diel, në orët e
mbrëmjes)
3. Vendi i Nisjes: Para parkingut të RTV 21
4. Lloji i Transportit: Me autobus.

VËMENDJE:


Detajet e sakta dhe procedurat e aplikimit për pjesëmarrje në Ekspeditën e Olimpit do të publikohen së shpejti, ndërsa numri i pjesëmarrësve është i kufizuar në 50 persona maksimumi. Në njoftimin e ardhshëm do të publikohen edhe afatet e aplikimit me dokumentet e nevojshme, si dhe çmimi përfundimtar për person. Për çdo informatë rreth Ekspeditës së Olimpit duhet të kontaktoni personin Përgjegjës: (Qëndrim Sopi 044 240 517, dhe e-mail: qendrim@klubialpinprishtina.com)

INFORMATA TJERA:


Pjesëmarrësit në këtë ekspeditë duhet të kenë me vete veshmbathje të përshtatshme për ecje bjeshkatare. Fjetja do të jetë dy net, në të njejtin kamp/hotel, i cili gjendet në bregdetin e Litochoro, afër masivit të Olimpit.

Rekomandohet që të keni me vete:


1. Veshmbathje bjeshkatare (mos harroni krem kundër
djegies, syze dhe kapelë, ose shami).
2. Veshmbathje të lehtë për shëtitje (vizita në Sheshin
Egnatia -Selanik).
3. Ndërresa të brendshme dhe rekuizita për plazh.
4. Ushqim sipas dëshirës (për ata që nuk duan të blejnë në
Greqi).
5. Fotokamerë, aksesorë ndihmës, etj

DETAJET E EKSPEDITËS DHE ITINERARI:


Nisja do të bëhet nga parkingu i RTV 21, me datën 19.06.2014 në ora 00.00 (në mes të së Enjtes dhe Premtes, në relacionin Prishtinë- Shkup-Gjevgjeli-Selanik. Në Selanik mbërrihet në ora 08:00 të mëngjesit. Vizitë në Selanik deri në orën 13:00. Në 13:15 nisja për Litochoro ku do të arrihet në ora 15:30. Litochoro gjendet rrëzë Olimpit dhe aty bëhet akomodimi i grupit. Në mëngjesin e së Shtunës, 21.06.2014, do të bëhet zgjimi në ora 06:00, për të vazhduar me autobus në ora 06:30 deri në parkingun e fundit (Prionia) ku fillon ecja. Ecja do të fillojë në ora 07:45. Ngjitja/Zbritja do të zgjasë rreth 7-8 orë, ndërsa te autobusi duhet të jemi rreth orës 17:00. Në mbrëmje rreth orës 18:30 do të kthehemi në kamp, për pastrim dhe pushim. Dita e dielë 22.06.2014 është e rezervuar për plazh, pushim, si dhe not relaksues në plazhet e Litochoro. Të Dielën rreth orës 16:00, me 22.06.2014 bëhet nisja për në Kosovë, ku do të arrihet rreth orëve të mesnatës.

Ftesa vlen për gjithë të interesuarit të cilët e shohin vetën si pjesë të kësaj Ekspedite, pa dallim etnie dhe gjinie, (anëtarë të KAP, bjeshkatarë, studentë, qytetarë të huaj, anëtarë të klubeve dhe shoqërive tjera, etj), ndërsa gjithë anëtarët e ekspeditës, paraprakisht, do të nënshkruajnë dhe pranojnë Marrëveshjen Obligative me Klubin Alpin Prishtina, ku janë të caktuara të drejtat dhe përgjegjësitë e çdo pjesëmarrësi të ekspeditës.

Udhëheqës i Ekspeditës:
Qëndrim Sopi
044 240 517

Ekipi Përkrahës i KAP:
Nazmi Hasanramaj
Driton Bejtullahu
Haki Hasanramaj.