Ekspeditë Dyditore në Strugë 12-13.08.2017

Të Nderuar Miq,

Klubi Alpin Prishtina në bashkëpunim me Klubin Alpin Bjeshkatar Struga, ju fton të merrni pjesë në Ekspeditën dyditore në Strugë, që do të mbahet gjatë vikendit (e shtunë, e diel) me datat 12-13 gusht 2017.
Ftesa vlen për gjithë të interesuarit, pa dallim – anëtarë të KAP, bjeshkatarë, studentë, qytetarë të huaj, anëtarë të klubeve dhe shoqërive tjera, etj. Ekspedita është e karakterit bjeshkatar, kulturor dhe sportiv. Kampi do të vendoset të shtunën buzë liqenit, ndërsa fjetja (një natë) do të jetë e kombinuar në tenda dhe bujtinë. Ditën e diele do të ngjitet maja më e lartë e regjionit të Strugës, “Guri i zi” 2257 m/lmd, në malin e Jabllanicës, dhe të njejtën ditë do të bëhet kthimi në Prishtinë.

Pse duhet të jeni pjesë e kësaj ekspedite:
Ekspedita e Strugës është ngjarje që ka për qëllim njoftimin me resurset natyrore të këtij rajoni dhe forcimin e kontakteve me komunitetin bjeshkatar strugan. Udhëtimi, kampi, noti dhe lundrimi, shetija në qytet, dhe mbi të gjitha pushtimi i Majës ‘’Guri i Zi’’ në Malin e Jabllanicës, janë vetëm disa nga aktivitetet që këtë ekspeditë do ta bëjnë të paharrueshme. Ndërsa shijen ia shtojnë boronicat, të cilat gjenden më bollëk përgjatë shtegut nëpër Malin e Jabllanicës. Qyteti i Strugës shtrihet në anën veriore të Liqenit të Ohrit dhe rrëzë malit Jabllanica; ndërsa Drini i zi, i cili ushqehet nga burimet e Shën Naumit, rrjedh përmes Liqenit të Ohrit, arrin në Strugë ku kthehet në lumin që qytetin e ndan në dysh dhe i jep atij një pamje të veçantë.

Organizimi:
Nisja: Me datën 12.08.2017, në ora 05:00
Kthimi në Prishtinë: 13.08.2017 (e Diel, në orët e mbrëmjes)
Vendi i Nisjes: Para parkingut të RTV 21
Lloji i Transportit: Me autobus.
Participimi për Pjesëmarrje: 35 € (Parapagimi 20 €)
Në çmim përfshihen: Transporti Prishtinë-Strugë dhe anasjelltas; Transporti në terren nga qyteti i Strugës në Belicë të Sipërme ku është pikënisja e ecjes; fjetja (kamp ose bujtinë); shujta me ushqim vendor (groshë) në shtëpinë bjeshkatare, në Belicë të Sipërme, në përfundim të ecjes.

Fjetja: Gjatë rezervimit përcaktoheni nëse jeni për kamp apo bujtinë. Numri i thasëve për fjetje dhe tendave është i kufizuar.
Si të Rezervoni:
E-mail (alpineclubprishtina@gmail.com); Tel: 044 312 744 (N.H.)

Informata për ‘’Gurin e Zi’’ të Jabllanicës:
Vendndodhja: Jabllanica është mal në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë, përgjatë së cilit shtrihet kufiri mes dy vendeve. Kurrizi i gjatë i malit ruan lartësinë mbi 2000 metra në rreth 50 kilometra të tij, ndërsa në mes gjendet maja më e lartë, “Guri i zi” që arrin në 2257 m/lmd. Të dy shtetet në territor të vetin kanë nga 50 për qind të malit. Shqipërisë i takon ana perëndimore kurse Maqedonisë ajo lindore. Qyteti më i afërt në Shqipëri është Librazhdi, ndërsa në Maqedoni Struga.
Lartësia: “Guri i zi” 2257 m/lmd.
Karakteri: Maje konike vegjetative. Bjeshkë me plot burime uji dhe liqej malor.
Vështirësia: (T2) Ecja është e karakterit bjeshkatar, me ngjitje të përgjithshme prej 850 m.
Gjatësia e Shtegut: 13 km
Koha e Ecjes: 5 – 6 orë

Detajet e ekspeditës dhe itinerari:
E shtunë: Nisja nga Parkingu i RTV 21 (12.08.2017 / 06:00); Prishtinë-Shkup-Strugë.
Përgjatë rrugës do të bëhet një pushim kafeje. Në Strugë planifikojmë të arrijmë rreth orës 10:00 ose 11:00 kur edhe bëhet akomodimi në kamp dhe bujtinë. Pastaj pjesëmarrësit do të kenë mundësi të freskimit në liqen, të pushojnë në kampin buzë liqenit apo të shëtisin në qytetin e Strugës. Në orën 20:00, në kamp, do të ketë një program të lehtë muzikor dhe zbavitës, me ç’rast me fjalë përshëndetëse do t’u drejtohen organizatorët e KAP-it dhe të KABS-it, si dhe përfaqësues të Komunës së Strugës. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe bjeshkatarë e adhurues të natyrës nga Struga, ndërkohë që në kuadër të programit dy klubet do të prezantojnë aktivitetet e tyre dhe mundësitë që ofrojnë bjeshkët në rajonet respektive. Fjetja në ora 23:00.

E diel: Zgjimi në 06:00. Në orën 07:00 bëhet nisja me minibus për në pikënisjen e ecjes, në fshatin Belicë e Sipërme. Në orën 07:30 nis ecja e cila do të zgjasë rreth 6 orë. Kthimi rreth orës 14:00 ose 15:00 në shtëpinë bjeshkatare, në Belicë të Sipërme, ku na pret grosha tradicionale e kësaj ane. Pas kthimit në kamp/bujtinë do të ketë kohë edhe për një freskim në liqe apo shëtitje nëpër Strugë para nisjes për në Prishtinë.

Rekomandohet që të keni me vete:
Veshmbathje bjeshkatare (mos harroni krem kundër djegies, syze dhe kapelë, ose shami).
Një Çantë Shpine; Një Çantë dore (valigje e cila mbetet në kamp)
Ndërresa të brendshme dhe rekuizita për plazh.
Ushqim sipas dëshirës (për ata që nuk duan të blejnë).
Fotokamerë, aksesorë ndihmës, etj

Personat Përgjegjës:
Nazmi Hasanramaj, Ekipi i K.A.P.
Nderim Pollozhani, Ekipi i K.A.B.S.