Vendi ynë

Veçoritë e përgjithshme gjeografike të Kosovës

Kosova ka pozitë qendrore gjeografike në Gadishullin Ballkanik që ka rol lidhës në mes të pjesëve veriore e jugore, perëndimore e lindore, por edhe të Evropës Qendrore. Kushtet natyrore të saj janë mjaft të volitshme. Ato e bëjnë Kosovën udhëkryq ndërmjet Adriatikut, Fushës së Panonisë dhe Detit Egje. Kosova shtrihet në mes të 41°50’58” dhe 43°51’42” të gjerësisë gjeografike veriore dhe 20°01’30” dhe 21°48’02” të gjatësisë gjegrafike lindore. Kosova edhe pse një vend i vogël për kah sipërfaqja (10.887 km²), me 2.1 milion banorë (vlerësim i vitit 1991) dhe me dendësi mesatare prej 192 banor në km², paraqet hapësirën më dendësi më të madhe, jo veten në trojet shqiptare, por në tërë Gadishullin Ballkanik.

Kosova kufizohet me: Shqipërinë në jugpërendim dhe perëndim (111.8 km), Malin e Zi në perëndim (78.6 km), Serbinë në veri dhe në lindje (351.6 km) dhe Maqedoninë në jug (158.7km).

Gjatësia e përgjithshme e kufirit të Kosovës me vendet fqinje është afër 700.7 km. Për nga veçoritë natyrore, vija kufitare shtrihet kryesisht nëpër kuota të larta malore.

Emri gjeografik i Kosovës daton që nga koha parahistorike dhe ka origjinë Ilire. Baza e emrit është fjala kos-kas që d.m.th kodër, mal dhe va/va-u që d.m.th. rrafshnaltë.

Përbërja e gjeologjike

Kosova ka një ndërthurje të ndërlikuar tektonike dhe përbërje mjaft komplekse gjeologjike. Varësisht nga vjetërsia gjeologjike dhe vetitë fiziko-mekanike të shkëmbinjve, në territorin e Kosovës dallojmë dy grupe themelore të shkëmbinjve. Shkëmbinjtë e vjetër të erës parakambriane, palezoike dhe mezozoike që dallohen më përbërje kompakte dhe shkëmbinj të ri të erës kenozoike (terciere, kuaternare) me përbërje plastike jo të lidhur. Shkëmbinjtë e vjetër kompakt (rreshpet kristalore, shkëmbinjtë magnetik etj.), ndërtojnë malet periferike dhe në brendi të Kosovës si: Bjeshkët e Nemuna, Sharri, Koretniku, Pashtriku, Malet e Prugovcit, Zhegovcit, Carralevës, Nerodimës, Berishës etj.

Në këto male e sidomos në pjesën lindore të Kosovës, në proceset e ndryshme gjeologjike, janë krijuar pasurit të mëdha minerale metalike edhe jometalike (plumb, zing, krom, nikel etj). Shkëmbinjtë më përbërje plastike (argjilla, argjilla ranore, ranoret etj.), kryesisht mbushin fushgropat e ndryshme në: Kosovë, Dukagjin, Drenicë, Llap, Anamoravë etj. Në këto sendimente janë gjetur sasi të mëdha të linjitit e sidomos në pjesën qendrore të pellgut të Kosovës.

Nga aspekti morfologjik Kosova paraqet një mozaik të vërtetë të fushëgropave me dimensione të ndryshme, të përkufizuar me male të mesme e të larta. Lartësia mesatare mbidetare e Kosovës është (810m), kurse pika me e ulët është (270m) e ajo me e larta (2656m) (Gjeravica). Në aspektin hipsometrik sipërfaqe nën 300m lartësi mbidetare përfshinë vetëm 16.4 km² ( 0.2 %) deri 1000 m shtrihen 8754 km² ( 80.7 % ), prej 1000 deri 2000 m 1872.3 km² ( 17 % ) dhe mbi 2000m deri 250.6 km² ( 2.3 % ) Format kryesore në relievin e Kosovës janë: Malet me (63 %) dhe fushëgropat (37%).

Klima

Kosova shtrihet në pjesën jugore të brezit të mesëm gjeografik të gjysmë–sferës veriore dhe i nënshtrohet ndikimeve klimatike mesdhetare-kontinentale dhe evropiane–kontinentale. Makrofaktoret kryesorë klimatikë, të cilet ndikojnë në klimën e Kosovës janë : pozita e saj ndaj

masave tokësore (Evroazia dhe Afrika) masat ujore (Oqeani Atlantik dhe Deti Mesdhe) masat e ajrit (tropike dhe arktikemaritine apo kontinentale), pozita e sistemeve barike (maksimumi i azoreve dhe minimumi i Islandës). Faktorët lokal kryesor që ndikojnë në klimen e Kosovës janë: relievi, ujërat, trulli dhe bimësia.

Diellosja (insolacioni)

Është element klimatik i cili ka rëndësi në veprimtaritë e ndryshme ekonomike (bujqësi, turizëm,

mjekësi) etj. Zgjatja e diellosjes varet nga faktorët astronomik, meterologjik dhe nga relievi. Diellosja është më e vogël në luginat e ngushta dhe grykat lumore si dhe në viset malore për shkak të rritjes së vranësirave me rritjen e lartësisë mbidetare. Në bazë të vrojtimeve të diellosjes në katër stacionet metrologjike (Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Pejë), Kosova ka mesatarisht 2.066 orë me diell gjatë vitit ose mesatarisht 5.7 orë në ditë. Vlerën më të madhe të diellosjes e ka Prishtina me 2.140 orë në vit (Tirana ka 2.561 orë) e me se paku Peja me 1.958 orë, Ferizaj 2067 orë dhe Prizreni me 2.099 orë më diell gjatë vitit. Gjatë vitit në muajin korrik ka më së shumti diellosje, kurse në dhjetor më se paku.

Temperatura e ajrit

Është element kryesor klimatik, e cila tregon shkallën e nxehtësisë së ajrit në shtresat pranë tokës. Në Kosovë vërehen diferenca termike në drejtim horizontal dhe vertikal. Pjesa lindore e Kosovës, Fushëgropa e Kosovës, e Llapit, e Drenicës dhe e Anamoravës janë diç më të ftohta se ana perëndimore, pra Dukagjini. Temperatura mesatare vjetore e Kosovës është 9.5°C. Muaji më i nxehtë është korriku (19.2.°C) kurse muaj më i ftohtë është janari (-1.3°C). Temperatura mesatare vjetore më e larta paraqitet në Prizren (12°C), kurse më të ulëta në Pudujevë (9°C).

Reshjet atmosferike

Në Kosovë paraqiten të gjitha format e reshjeve atmosferike. Randësinë më të madhe e kanë reshjet në formë të shiut nëpër lugina dhe reshjet e borës në viset e larta malore (Bjeshkët e Nemuna dhe Sharr), ku në pjesën lindore të Kosovës, mesatarisht gjatë viti mbi (600 mm) ndërsa në pjesën perëndimore mbi (700 mm) gjatë viti kemi sasira të mëdha të reshjeve në Bjeshkët e Nemuna (1750 mm). Reshjet e borës janë dukuri e rëndomtë në pjesën e ftohtë të vitit. Në pjesët e ulëta të Kosovës mesatarisht paraqiten 26 ditë me reshje bore, kurse në viset malore mbi 100 ditë.

Erërat

Shpejtësia mesatare e erërave në Kosovë oscilon prej 1.3 m/s (në Pejë) deri në 2.4 m/s (në Ferizaj). Shpejtësia maksimale e erërave arrin 31 m/s dhe zakonisht në muajt mars dhe prill. Në shumë lokalitete në Kosovë erërat kanë emërtime lokale.

Hidrografia

Kosova ka një rrjet hidrografik kryesisht autokton, gjë që shpreh kufijt natyror të saj. Ekziston përputhshmëri mjaft e plotë në mes ujëmbledhësit hidrografik dhe kufijve administrativ-politik. Sipërfaqja ujëmbledhëse topografike e Kosovës është 11,645 km² dhe ndaj sipërfaqes administrativo–politike është vetëm për 758 km² ose 6.5 % më e madhe. Kosova ka një rrjet të zhvilluar të rrjedhave ujore.

Lumenjtë e Kosovës të kushtëzuar nga pozita gjeografike dhe relievi, formojnë një rrjet hidrografik qendërikës dhe u takojnë sistemeve të ndryshme lumore. Ata dallohen si nga numri ashtu edhe nga gjatësia e tyre. Lumenjtë karakterizohen me ujë të bollshëm, duke marr parasysh sasinë e madhe të reshjeve që kjo hapësirë merr gjatë vitit. Si pasojë e tyre kemi një rrjet të dendur hidrografik të përhapur në tërë territorin e vendit.

Në pjesët e larta të relievit janë formuar ujëvara, rrjedha të shpejta, gryka, kanione e në pjesët e poshtme terraca të lumit, meandra, moçale etj. Në të gjithë këta lumenjë, karakteristikë themelore është lëkundja e madhe e niveleve dhe e,prurjeve,të,ujit. Lumenjtë e Kosovës e bëjnë gërshetimin e tri ujëndarësve detare të Gadishullit Ballkanik i cili gjindet në perëndim të Ferizajit, në Sukën e Dërmanit (1.364m l.m.d.). Në shpatijet e kesaj suke i kanë pjesët burimore lumi Sitnica, Nerodimja dhe Toplluga të cilët derdhin ujin në dete si (Deti i Zi, Deti Egje dhe Deti Adriatik).

Shtrirja e ujëndarësit detar nëpër terrene të ulëta të papërcaktuara, kanë krijuar kushte natyrore për degëzimin (bifukacionin) e ujit dhe paraqitjen e dukurive të bifukacionit si është ai i Nerodimes afër Ferizajt. Lumi i Nerodimes e dërgon ujin në Detin e Zi dhe në Detin e Egje dhe është e vetmja dukuri e këtillë në Evropë. Drejtimi i rrjedhave të lumenjve është zhvilluar në harmoni me format kryesore të relievit. Pjesa më e madhe e lumenjve i takojnë pellgut të Detit të Zi 50,7 % , Detit Adriatik 43,5 % dhe Detit Egje 5,8 %.

Këndvështrim tjetër

Kosova, me të gjitha elementet gjeografike, është një hapësirë e individualizuar dhe specifike. Nëpër territorin e saj kalojnë rrugë të rëndësishme, të cilat lidhin Evropën e Mesme me bregdetin e Detit Mesdhe. Si e tillë ajo ka një pozitë të rëndësishme strategjike në këtë pjesë të Evropës. Pozitën e mirë gjeografike Kosovës ia mundëson edhe llojllojshmeria e faktorëve natyrorë: përbërja gjeologjike, relievi, klima, hidrografia, vegjetacioni dhe tipet e tokave, si dhe pasuritë nëntokësore që janë bazë e mirë për zhvillimin ekonomik.

Me elementet e peizazhit natyror, ajo tregon diferencat e veta. Në një hapësirë gjeografike aq të kufizuar, janë zhvilluar gati të gjitha kategoritë e relievit me forma të larmishme dhe gjithashtu me ndryshime të theksuara klimatike. Ndërrimet në elementet natyrore janë manifestuar edhe në tipet e tokave dhe vegjetacionit natyror, duke e bërë një peizazh specifik. Kosova shquhet për shumë resurse natyrore të cilat e kanë bërë të njohur, jo vetëm në suaza të Gadishullit Ballkanik por edhe më gjerë. Bujqësia është veprimtaria kryesore ekonomike, me dendësi të madhe agrare, me mekanizim të pamjaftueshëm, me strukturë të pavolitshme për kultivimin e kulturave etj.

Toka bujqësore janë 53% dhe 39.1% pyje, rreth gjysma e tokës bujqësore (52.3%) është e lërueshme, kurse një e treta (31%) janë kullosa (UNDP). Industria gjendet në fazën e tranzicionit. Një profil i tillë ekonomik ka kushtëzuar dominimin e popullsisë rurale ndaj asaj urbane. Në aspektin demografik Kosova është hapësirë kompakte ku kombësia shqiptare përbën rreth 90% ndësa kombësitë e tjera rreth 10% (serbë, malazez, turq, muslimanë, romë etj.). Për nga mosha popullsia e Kosovës është e re, ku dominon mosha nën 19 vjeç dhe atë me 42.5%. Kryeqyteti i saj është Prishtina, kurse qytetet e tjera të mëdha janë: Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj.

 Demografia

 Numri i popullsisë – Vlerësohet se në Kosovë jetojnë rreth 2.4 milionë4 banorë. Ky numër është relativisht i madh në një sipërfaqe prej 10.887 km² sa ka Kosova. Rritja e numrit të popullsisë është 1.3 % që është më e larta në rajon. Gjatë periudhës 82 vjeqare (1921-2003) popullsia është rritë për 4.6 herë. Nëse vazhdon rritja e popullsisë me këtë trend, vlerësimet tregojnë se në vitin 2050 popullsia do të arrijë deri në 4.5 milionë banorë5.

Dendësia e popullsisë – Kosova për nga dendësia e popullsisë renditet ndër vendet e para në Evropë me rreth 220 b/km². Përqendrimi i funksioneve të ndryshme ekonomike, shëndetësore, tregtare, kulturore etj., në qytetet e Kosovës ka ndikuar në koncentrimin e madh të popullsisë në këto qendra. Në anën tjetër, mungesa e infrastrukturës, largësia nga qendrat arsimore, shëndetësore, kulturore etj, kanë ndikuar në migrimin e madh të popullsisë prej viseve rurale në ato urbane, i cili paraqitet problem të dyfishtë në shfrytëzimin e hapësirës. Ky revulucion urban paraqitet si urbanizim i dhunshëm dhe sfidë aktuale në Kosovë. Për dallim nga qytetet e tjera, Prishtina si kryeqendër është vendi ku graviton jo vetëm popullsia e fshatrave përreth por nga mbarë viset e Kosovës, që pason me shkeljen e normave të jetës urbane. Në dendësinë e popullsisë gjithashtu ndikoi edhe konflikti i fundit, sepse shkatërrimet e shtëpive janë bërë kryesisht në fshatra, i kanë detyruar familjet të gjejnë strehim për shkak të pamundësive për rindertimin e tyre. Këto familje kryesisht janë vendosur në qytete.Dukuritë e tjera negative janë: fokusimi i popullsisë në qendra urbane, zgjerimi horizontal dhe pa plan i qyteteve, shfrytëzimi joracional i tokës bujqësore, mungesa e infrastrukturës, ndotja e mjedisit etj.

Dendësia e popullsisë sipas komunave – Dendësia më e madhe është e shprehur në komunën e Prishtinës – mbi 900 banorë/km2 ndërkohë që rajonet më të pabanuara janë viset malore dhe kodrinore me dendësi përafërsisht 50 banorë/km2

Shtimi natyror i popullsisë –  Edhe pse pothuajse të gjithë treguesit e shtimit të popullatës kanë shënuar rënie gjatë dekadës së kaluar, popullata e Kosovës ende mbetet njëra ndër popullatat me shtim më të lartë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, ky është rezultat i zvogëlimit të ngadalshëm të shkallës së natalitetit dhe i zvogëlimit rapid të shkallës së mortalitetit. Shkalla e shtimit natyror është rreth 13 ‰ në vit. Shkalla e madhe e shtimit natyror të popullsisë është faktori kryesor që ka ndikuar në numrin dhe dendësinë e popullsisë si dhe problemet që rrjedhin prej tyre.

Popullsia sipas gjinisë – Raporti në mes të përqindjes së gjinisë mashkullore dhe femërore është 50.3 % meshkuj dhe 49.7 % femra6. Gjinia mashkullore kishte përqindje më të madhe deri në vitet e 90-të, me 51.55 % meshkuj dhe 48.45 % femra7. Pas viteve 90- të, si pasojë e emigrimit dhe konfliktit i cili goditi më së shumti meshkujt u shkaktua rënie e numrit të tyre dhe tani gjendja paraqitet afërsisht e barabartë.

Popullsia sipas grupmoshave – Gjysma e popullsisë në Kosovë është nën moshën 20 vjeç. Në Kosovë kategoria e popullsisë së re (prej 0-14 vjeç) është përfaqësuar me 37.4 % . Pjesëmarrja e popullsisë së moshës 15-64 vjeç është 58 %. Popullsia e moshës mbi 64 vjeç përfshin vetëm 4.6 %8. Dominimi i strukturës së re të popullsisë ndikon në shkallën e lartë të shtimit natyror.

Popullsia sipas etniteteve – Në Kosovë jetojnë etnitete të ndryshme. Rreth 90% e popullsisë janë shqiptarë, serbë 5.9 %, romë 1.3 % dhe të tjerë 3.4 %.9

Jetëgjatësia mesatare – Gjatë viteve nëntëdhjetë, jetëgjatësia mesatare për Kosovën është zgjatur për gati 30 vjet, në krahasim me vitet pesëdhjetë (prej 46 deri 74 vjet). Aktualisht nuk ka të dhëna ose vlerësime të cilat do të mbulonin periudhën pas vitit 1999. Është e arsyeshme të supozohet se kushtet e përgjithshme jo të favorshme që mbizotëruan gjatë periudhës që çoi drejtpërdrejt në konflikt dhe të asaj menjëherë pas konfliktit, kanë pasur ndikim negativ dhe shkaktuan rritjen e nivelit të varfërisë..