Klubi Alpin Prishtina

Klubi Alpin Prishtina është klub i themeluar nga Bjeshkatarë, Alpinistë dhe Guida me eksperiencë të gjatë në këto aktivitete. KAP organizon dhe zhvillon aktivitete që janë të lidhura me natyrën, dhe si i tillë përpiqet që të zhvillohet dhe tu japë mundësi gjithë qytetarëve që, së pari ti njohin këto aktivitete, e pastaj të marrin pjesë në to. Zhvillimi i këtij lloji të turizmit, është një nga caqet tona, e për të cilat Kosova ka kapacitete të mjaftueshme.

Anëtarët e Klubit kanë marrë dhe marrin pjesë në shumë ngjarje të karakterit sportiv, në sportet malore dhe bjeshkatare, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, ku kanë korrur suksese dhe e kanë afirmuar emrin e bashkëqytetarëve tanë. Klubi punon në bazë të statutit të harmonizuar me statutin e Federatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve të Republikës së Kosovës dhe është në shërbim të plotë të të gjithë adhuruesve të natyrës, ecësve rekreativ, vizitorëve turistë, alpinistëve, etj, si vendor ashtu edhe ndërkombëtar.

Qëllimi ynë ndërlidhet me zhvillimin e sporteve malore dhe bjeshkatare, gjithnjë në koordinim me Ligjet dhe Parametrat e Federatës Ndërkombëtare për Bjeshkatari dhe Alpinizëm, anëtare e së cilës është edhe Federata e Kosovës. Zhvillimi i aktiviteteve sportive malore, ngritja e vetëdijes qytetare rreth ruajtjes së florës dhe faunës sonë, takimi dhe njohja e njerëzve të trevave të ndryshme në aksione malore, rritja e kualitetit të jetës nëpërmes organizimeve javore në lartësi të mëdha mbidetare, si dhe promovimi i vlerave tona natyrore dhe kombëtare në rajon dhe botë, janë vetë disa nga synimet e KAP-it.

Me ne janë aktivizuar në kampime shumë grupe personash nga kolektive të ndryshme punuese, grupe studentësh dhe nxënësish, si dhe persona ndërkombëtarë. Stafi ynë ofron edhe trajnime për ngjitje, orientim dhe përdorim të pajisjeve alpine.

Duhet ta theksojmë se, në aktivitetet tona rekreative malore dhe alpine marrin pjesë me qindra entuziastë të të gjitha moshave, gjinive dhe etnive, ndërsa lokacionet tona të vizitës përfshinë një mori qytetesh, bjeshkësh, fshatrash dhe pikash tjera të rëndësisë së veçantë natyrore dhe shoqërore. Kjo eksperiencë, gjatë viteve, na ka dhënë një tablo të qartë për natyrën dhe preferencën e grupmoshave të ndryshme, por edhe na ka dhënë idenë dhe guximin e duhur për të implementuar projekte që lidhen me natyrën.
Anëtarët tanë, pa dallim moshe, gjinie apo kombësie, e kanë rastin që, nën organizimin dhe udhëheqjen tonë, të vizitojnë vendet më mbresëlënëse të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit, të ecin shtigjeve të lashta dhe piktoreske të bjeshkëve tona, të shohin liqene, kreshta, lumenj dhe gryka mahnitëse, dhe mbi të gjitha, të shoqërohen, stërviten dhe ta rrisin kualitetin e jetës nëpërmes aktiviteteve tona rekreative.

Qëndrimi dhe zhvillimi i aktiviteteve sportive dhe edukative në natyrë është formë shumë e përhapur e relaksimit dhe e zhvillimit të ndjenjës së përgjegjësisë kolektive te të rinjtë.
Organizimet e tilla si, Ecjet Rekreative, Orientimi, Bjeshkataria, Aktivitetet në Natyrë, etj, janë aktivitete që bashkëveprojnë ngushtë në mes vete, dhe janë duke u popullarizuar në Kosovë.
Ne përpiqemi që, natyra e organizimeve tona të ndërlidhet me zhvillimin dhe politikat afatgjata të turizmit në Kosovë, sepse ekziston një vullnet i mirë dhe preferencë e theksuar e qytetarëve vendor dhe ndërkombëtar për tu involvuar në të tilla organizime. Pikat gjeografike që vizitohen nga ne, në territorin e Kosovës, dhe Ballkanit, janë pika të veçanta dhe paraqesin resurse të mëdha turistike. Këto udhëtime, publikimet e fotove dhe videove, si dhe komunikimet e komunitetit të gjërë të pjesëmarrësve, janë komponentë përbërëse e rrjetit të gjerë social që ekziston tashmë.
Ndërgjegjësimi i shoqërisë, me theks të veçantë grupmoshave të reja të të gjitha etnive dhe gjinive, ndaj rëndësisë së natyrës në jetën tonë, është një ndër qëllimet KAP.

Natyra e Kosovës dhe Ballkanit është e mrekullueshme, por ka shumë arsye për të cilat njerëzit nuk mund ti shfrytëzojnë këto resurse. Guidat tona kanë bërë shumë udhëtime, ngjitje dhe marshuta të gjata malore, dhe nga gjithë kjo kemi ardhur në përfundim se, njerëzit nuk i njohin këto bukuri natyrore. KAP do të bëjë çmos që, qytetarët të kenë mundësi ti shijojnë këto resurse, me udhëheqjen e Guidave tona.

Këto aktivitete kanë efekt të madh jetën e atij që e aplikon këtë sport, dhe ky efekt mund të vërehet që në fillet e ecjeve të para, të organizuara dhe udhëhequra. Ne, gjatë viteve të fundit, jemi dëshmitarë të dhjetëra rasteve të suksesit në grupin tonë të gjerë. Ka shembuj konkret të përmirësimit të dukshëm të shëndetit të personave që kanë marrë, dhe marrin pjesë në organizimet tona.
Gjithashtu, është mënyrë e re e kalimit të një vikendi. Është mënyrë e shëndetshme dhe e ndryshme nga ekskursionet, shëtitjet dhe turizmi, e që organizohen te ne. Pra, janë aktivitete që ndërthurin një gamë të gjerë veprimesh, me qëllim avancimin e shëndetit të anëtarëve..