FILLOJNË PËRGATITJET PËR EKSPEDITËN – MOUNT EVEREST 2017

Të Nderuar Miq të Klubit Alpin Prishtina,

Duke u mbështetur në Planin e Miratuar nga Bordi i K.A.P., Ju njoftojmë se, zyrtarisht kanë filluar përgatitjet organizative, teknike dhe psiko-fizike për Ekspeditën e Pushtimit të Mount Everest, e që do të realizohet në fillim të vitit 2017.

Ekspedita është organizim i Klubit Alpin Prishtina dhe përbëhet nga katër Alpinistë, anëtarë të K.A.P., të cilët i kanë filluar përgatitjet paraprake, ku hyjnë edhe ngjitjet e ardhshme alpine brenda vitit 2016, e që përfshihen brenda programit të trajnimit.

Ekspedita do ti kushtohet Nënës Terezë dhe shtetit të ri të Kosovës, për ç’gjë është marrë mbështetje e fuqishme edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nga Institucionet tjera të vendit, si dhe nga subjekte të rëndësishme të Diasporës Shqiptare.

Zyrtarisht, Klubi Alpin Prishtina, e ka pranuar Flamurin e Shtetit të Kosovës, për Ekspeditën e Everestit, nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me ç’rast Presidentja është zotuar në përkrahjen zyrtare të Ekspeditës, në të gjitha nivelet, deri në realizimin përfundimtar të saj; gjë që do të finalizohet teknikisht në takimet tjera.

Gjithashtu, K.A.P. falënderon edhe legjendat e alpinizmit të shtetit Shqiptar; Aleksandër Bojaxhiu dhe Gjergj Bojaxhiu (Pushtues i Everestit), për përkrahjen e vëllazërore në përgatitjen e Ekspeditës, sidomos në çështjet organizative dhe programin e trajnimit.

Klubi Alpin Prishtina, Alpinistëve të Ekspeditës Ju Dëshiron përgatitje të mbarë, Ju Premton përkrahje të pakursyeshme, dhe Ju Uron Ekspeditë të Suksesshme, në të gjitha fazat e saj, në përgatitje, pushtim..dhe mbi të gjitha, kthimin në vendlindje, shëndosh e mirë.

Njëkohësisht, ky Njoftim është edhe ftesë dhe inkurajim për gjithë dashamirët dhe përkrahësit e K.A.P. që, gjatë muajve të ardhshëm, ta përkrahin në të gjitha mënyrat Ekspeditën për Pushtimin e Everestit 2017, Ekspeditën që i kushtohet Nënës së Shqiptarëve, Nënës që përfaqësoi vlerat tona humane në mbarë botën.

Gjatë muajve në vazhdim, K.A.P. do të vazhdojë me publikimin e të dhënave shtesë për Ekspeditën.

Nazmi Hasanramaj
Kryetar i Klubit Alpin Prishtina

 

.