Ecja dhe Shëndeti

”Një hap në drejtimin e duhur”

 Sipas një publikimi të Departamentit Amerikan  për Shëndet dhe Shërbime Humane (U.S. Department of Health and Human Services, Washington D.C), me titull Njerëz të Shëndetshëm në Komunitete të Shëndetshme, dhe me origjinë nga Qendra Nacionale për  Statistika Shëndetësore, ecja, çfarëdo çoftë ajo, nëse bëhet me program të caktuar, dhe nëse zhvillohet në natyrë (hiking, trekking, bjeshkatari, etj), ka ndikim të madh në shëndetin e njeriut. Ne u jemi referuar disa studimeve të ndryshme, e që lidhen me ecjen në natyrë (shih ”Burimet”).

BENIFICIONET SHËNDETËSORE TË ECJES

A e dini se çdo minutë ecje mund të zgjas jetën tuaj nga 1.5 deri ne 2 minuta. Këtë e dëshmojnë shumë studime të cilat tregojnë se personat që ecin rregullisht jetojnë më gjatë, peshojnë më pak, kanë shtypje normale të gjakut, dhe shijojnë në përgjithësi një jetë më të shëndetshme dhe më kualitative së personat që ecin shumë pak. Në vazhdim po i listojmë disa nga dobitë kryesore të ecjes rekreative.

Ecja zgjatë jetën tuaj

 Ecja më shumë se një orë në ditë ndihmon në jetëgjatësinë tuaj në mënyrë të konsiderueshme. Disa studime tregojnë se nga 27,738 pjesëmarrës në studim, mes moshës 40 dhe 79, të cilët janë vëzhguar për 17 vjet  rresht, jo vetëm që kanë jetuar më gjatë por, edhe shpenzimet e sigurimeve shëndetësore kanë qenë më të ulëta.

Ecja konstante për më shumë energji

Disa njerëz e kanë kuptuar dobinë e ecjes rekreative, dobi shëndetësore që e përmirëson dhe e ruan shëndetin e njeriut.  Përveç tjerash, ecja rritë energjinë trupore dhe përmirëson sistemin motorik të njeriut. Është e pamohueshme se, një ecës mesatar në natyrë, do të jetë më energjik pas disa muajsh ecjeje.

Ecja shkrinë kilogramët e tepërt

 Vetëm 20 minuta ecje gjate ditës mund të djege deri ne 3.1 kg në vit. Efektet janë edhe me te mëdha kur këtij aktiviteti i shtojmë edhe një diete normale.

Ecja është mënyrë shumë e mirë për humbjen e kilogramëve të tepërt dhe përmirësimin e shëndetit. Ecja me program krijon shprehi të shëndetshme, gjë kjo që e rritë ambicien dhe aftësinë tuaj për të ecur më shumë dhe për të marrë pjesë edhe në ecjet sfiduese.

Pra, është ”qark” apo ”kurth” në të cilin do të futeni thellë e më thellë, e që do të vazhdojë ta përmirësojë shëndetin tuaj, dhe atë deri në pleqëri. Ecni sepse humbni kilogram, dhe humbni kilogram sepse ecni. Rezultati i ecjes është shumë më atraktiv se cilado dietë.

Ecja parandalon sëmundjet e zemrës

 Më shumë se  2,600 Amerikan vdesin nga sëmundjet e zemrës, çdo ditë; pra një vdekje çdo 33 sekonda. Këto sëmundje nuk shkaktohen vetëm nga pasiviteti, por është e qartë se ecja e rregullt parandalon këto sëmundje. Studimet tregojnë se personat që merren me këtë aktivitet, shkurtojnë përgjysmë mundësin e sëmundjeve koronare të zemrës kur arrihet mosha mes 71 deri 93 vjeç. Pra ecja përafërsisht 15 kilometra në jave ndihmon jashtëzakonisht në shëndetin e zemrës tuaj. Kjo sepse ecja e ulë kolesterinën në gjak, e kolesterina e dëmton sistemin kardiovaskular; më saktësisht, ecja e rritë të ashtuquajturën (high-density lipoprotein HDL), e cila konsiderohet  si kolesterinë ”e mirë” e që e largon kolesterinën ”e keqe” nga arteriet.

Ecja e stabilizon shtypjen e gjakut (shtypjen e lartë)

Hipertensioni apo shtypja e lartë e gjakut është problem shëndetësor që e atakon çdo njeri, në një moshë apo kohë të caktuar . Me medikamente dhe trajtime moderne mjekësore zbuten pasojat e hipertensionit, por ekziston një kurë parandaluese dhe shumë më e lirë, ecja rekreative.  Studimet tregojnë se ecja e rregullt ndikon në uljen e presionit systolic dhe diastolic të gjakut, deri në masën 10 mmHg.  Një studim interesant është bërë me 10 vullnetarë të të dyja gjinive, të cilët kanë pasur hipertension të lehtë. Ata iu nënshtruan një ecjeje të rregullt në natyrë, për 10 javë, dhe rezultati ishte një ulje e lehtë e shtypjes së gjakut. Kjo tregon se vazhdimi i ecjes do të ndikojë deri në stabilizimin e shtypjes së lartë të gjakut.  Në shumë vende, ecja rekreative në natyrë epet si terapi nga mjekët.

E përmirëson dhe e mirëmban shëndetin mendor

 Depresioni dhe stresi janë probleme të zakonshme në botë dhe te ne. Shumë njerëz e kanë gjetur mënyrën për ti zbutur apo për ti parandaluar këto sëmundje, dhe atë me ecje në natyrë. Kjo është mënyrë shumë e thjeshtë për ti ikur ngarkesës në punë. Sipas studiuesve, ecja shkakton lirimin e endorfinës në tru, i cili luan rrolin e qetësuesit. Gjithashtu, ecja liron adrenalinën, sidomos në ecjet që kanë ngjitje dhe përdorim të lehtë pajisjesh. Bllokimi i adrenalinës në trup, shkakton akumulimin e saj, gjë që ndikon në dhimbjet e muskujve dhe ndjenjën e shqetësimit.  Në një studim morën pjesë 36 persona që vuanin nga shqetësimet e ndryshme emocionale, shtypja e lartë e gjakut, ndjenja e stresit, etj; dhe pas ecjes 40 minuta, çdo ditë, filluan të shfaqen përmirësimet e para në shtypje të gjakut, disponim, madje edhe në përballimin e ndjenjës së urisë të shkaktuar nga stresi.

Ecja ngadalëson procesin e plakjes

 Kërkimet shkencore tregojnë se, nëse e përvetësojmë ecjen rekreative në natyrë, dhe e zhvillojmë deri në mënyrë të jetesës, do të kemi lidhje shumë më të thellë me natyrën dhe ambientin që na rrethon. Gjithë kjo ndikon në ngadalësimin e procesit të plakjes. Ekziston një lidhje në mes aktivitetit në natyrë dhe uljes së mortalitetit, si dhe uljes së ndjesisë së plakës. Dy grupe me nga 15 meshkuj të moshës 40-50 vjeçare, morën pjesë në një eksperiment, në mes viteve 1969 – 1992. Gjatë kësaj kohe njëri grup ka bërë aktivitete 5 vitet e para, ndërsa grupi tjetër ka vazhduar rregullisht me ecje dhe aktivitete, gjatë gjithë 23 viteve. Pas 23 vitesh, kërkuesit kanë vërejtur se, grupi që i ka ndërprerë aktivitetet e ka humbur aftësinë aerobike deri në masën 41%, ndërsa grupi që vazhdoi pa ndërprerje, kishte humbur vetëm 13% të aftësisë aerobike. Mosha nuk e ulë aftësinë aerobike dhe shëndetësore të trupit, por këtë e bën pasiviteti fizik dhe mënyra jo e shëndetshme e të jetuarit.

Ecja parandalon Osteoporozën

 Përparësia e ecjes rekreative qëndron në faktin se, personat që merren me këto aktivitete, eshtrat e tyre i rezistojnë katër deri në shtatë vite më shumë zbutjes dhe dobësimit të eshtrave të tyre. Këto rezultate dhe hulumtimet tjera të bëra gjate studimeve të ndryshme dëshmojnë që ecja si aktivitet fizik ndihmon shumë në ruajtjen qëndrueshmërisë së skeletit njerëzor.

 Kjo sëmundje dhe gjendje e eshtrave i godet më shumë femrat, dhe ka të bëjë me porozitetin e eshtrave, për shkak të mungesës së kalciumit. Ecja e rritë ngjeshmërinë e eshtrave dhe nivelin e kalciumit, duke e zvogëluar në maksimum rrezikun e thyerjeve apo deformimeve.

Ecja  rritë kualitetin e ajrit që thithim

 Ne jetojmë në një ambient me ajër jo të pastër. Ajri që thithim përmban monoksid karboni, oksid nitrogjeni, hidrokarbure, si dhe dhjetëra gazra tjera, të cilat i fusim në organizëm, nëpërmes frymëmarrjes. Kjo shkakton sëmundje të mushkërive, kancer, astmë, etj. Duke ecur në natyrë dhe në lartësi malore, ne bëjmë një lloj riparimi të mushkërive tona; pra e ndihmojmë trupin tonë që të lirohet prej toksinave.

Parandalon dhe kontrollon diabetin

Sipas Asociacionit Amerikan të Diabetit, 15.7 milion njerëz janë të diagnostifikuar me diabet,në SHBA (5.9% e popullsisë). Ky është shkaktari i gjashtë i vdekjeve nga sëmundjet. Ecja e rregullt në natyrë mund të parandalojë dhe ta vonojë shfaqje e kësaj sëmundje. Gjithashtu, mund ta mbrojë trupin nga efektet degjenerative të kësaj sëmundje.

Lehtëson Artritin

 Shumë njerëz i ndërpresin aktivitetet e tyre për shkak të artritit; mirëpo sipas statistikave, shumë nga të diagnostifikuarit me këtë gjendje, mund të përfitojnë nga ecja e rregullt dhe e kontrolluar. Ecja forcon muskujt, sidomos në këmbë, dhe kjo ndihmon në stabilitetin e këmbëve, duke e ”shkarkuar” presionin nga nyja dhe eshtrat e prekura nga artriti, gjë kjo që e zvogëlon dhimbjen.

Ecja lehtëson dhimbjet e shpinës

 Dhimbjet në shpinë shfaqen për shkak të shumë faktorëve, duke filluar nga qëndrimi ulur, bartja e peshave, ngasja e veturës, etj.  Ecja parandalon apo lehtëson dhimbjet e muskujve të shpinës, madje edhe disa nga format e dhimbjeve që vijnë nga dëmtimi i diskut. Ky lehtësim është raportuar nga  shumë ecës që kanë pasur të tilla probleme; sigurisht, ecja është bërë me program dhe në intervale të caktuara ditore dhe javore.

Shprehi të shëndetshme për jetë të shëndetshme

 Një arsye tjetër e fuqishme për tu marrë me këtë aktivitet , nuk është ndonjë e dhënë specifike. Thjeshtë, sa herë dilni në natyrë dhe bëni ecje me grupin tuaj të ecësve, do të ktheheni në shtëpi më i lumtur dhe i shkarkuar nga stresi. Gjatë ecjes, do të njohësh vende të reja, njerëz dhe ngjarje të reja, si dhe do të krijosh shprehinë e të ushqyerit të shëndetshëm. Pas një ecjeje të lodhshme, do të flesh mirë; mëngjesin tjetër do të pish kafen e mëngjesit me kolegët dhe të afërmit; por deri në mbrëmje, do të të lind dëshira për ecjen e ardhshme. Nëse nuk e besoni këtë, filloni të bëni ecje !

Burimet:

National Center for Health Statistics, Healthy People in Healthy Communities, U.S. Department of Health and Human Services, Washington D.C.:

Government Printing Office, 2001

American Heart Association, Walking for a Healthy Heart, http://www.americanheart.org, 2001.

US Department of Health and Human Services, The Surgeon General’s Call to Action to Prevent and Decrease Overweight and Obesity, US

DHHS, Public Health Service, Office of the Surgeon General, 2001.

American Heart Association, Fighting Heart Disease and Stroke, Physical Activity Calorie Use Chart,

http://216.185.112.5/presenter.jhtml?identifier=756, 1998.

American Heart Association, Heart and Stroke Statistical Update, http://216.185.112.5/downloadable/heart/4838_HSSTATS2001_1.0.pdf, 2001.

7 Burke, Edmund R, Ph.D., Benefits of Bicycling and Walking to Health (for FHWA), Washington, DC,

Bove, Alfred A., Active Control of Hypertension, The Physician and Sports Medicine, Vol. 26, No. 4,

http://www.physsportsmed.com/issues/1998/04apr/bove.htm, 1998.

American Lung Association, Fact Sheet, Outdoor Air Pollution, http://www.lungusa.org/air/outdoor_factsheet99.html, 2000.

American Diabetes Association, The Impact of Diabetes, http://www.diabetes.org/main/application/commercewf?origin =*.jsp&event=link(B1_1),

Shiple, Brian, Relieving Low-Back Pain with Exercise, The Physician and Sportsmedicine, Vol. 25, No.

http://www.physsportsmed.com/issues/1997/08aug/shiplepa.htm, 1997.

 .