Alpinistët kosovarë ecën në këmbë deri në Lukla – dita 63

Alpinistët kosovarë ecën në këmbë deri në Lukla - dita 63

Pas pushtimit të Everestit, më 22 maj 2017, dhe kthimit në Kampin Bazë më 24 maj, alpinistët e Ekspeditës së Kosovës, Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, u nisën këmbë nga Kampi Bazë për në qytezën e Luklas, ku kanë mbërritur sot pas shtegtimit 65 kilometërsh.

Pas qëndrimit dyditor në Kampin Bazë, ku janë këndellur nga lartësia e madhe mbidetare dhe mundi i ngjitjes së majës më të lartë në botë, alpinistët më 26 maj u nisën nga Kampi Bazë për në Dingboche, ku kaluan natën e parë jashtë tendave pas gati dy muajsh, transmeton Koha.net. Të nesërmen (më 27 maj) realizuan pjesën e dytë të shtegut nga Dingboche deri në Namche Bazar, ku e kaluan natën, kurse sot shtegtuan nga Namche Bazar deri në Lukla.

Raportohet që moti është me shi dhe mjegull, që shkaktoi edhe një aksident të një aeroplani kargo dje. Aeroplani ishte nisur nga Kathmandu për në Lukla dhe nuk ia doli të aterronte për shkak të mjegullës. Pak para aterrimit, aeroplani u përplas me një dru dhe u rrëzua tre metra larg shtegut të tokëzimit. Në aksident vdiqën piloti dhe kopiloti, kurse anëtari i tretë i ekuipazhit ka mbijetuar.

Po qe se kushtet klimatike përmirësohen deri nesër, anëtarët e ekspeditës do të mbërrijnë nesër në mëngjes, me kohën tonë, në kryeqytetin e Nepalit.

Anëtarët e KAP-it, për dallim nga alpinistët e tjerë me buxhete më të mëdha për ekspeditën në Everest, nuk kanë pasur mundësi që të ktheheshin në Kathmandu me helikopter.

Kthimi i tyre në Kosovë parashihet të ndodhë javën që vjen. Data e saktë e kthimit po varet nga përmirësimi i kushteve klimatike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

http://www.koha.net/everest-lajme/21581/alpinistet-kosovare-ecen-ne-kembe-deri-ne-lukla-dita-63/